Loja e rrezikshme e Amerikës me Serbinë
Pse bashkëpunimi energjetik i SHBA me Serbinë tradhton vlerat e saj dhe rrezikon të sakrifikoj Kosovën.
Më 18 shtator 2024, në mjediset e qeta dhe thuajse të padukshme të ndërtesës Harry S. Truman në Washington D.C., u nënshkrua një marrëveshje e qetë, por me rëndësi të madhe, midis Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë. Nënsekretari amerikan për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin, José W. Fernandez, dhe Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, nënshkruan një marrëveshje strategjike për energjinë, një pakt që në letër synon të promovojë investimet amerikane në sektorin energjetik të Serbisë dhe të thellojë marrëdhëniet dypalëshe. Për shumicën, kjo mund të duket si një rutinë diplomatike. Por për ata që i ndjekin nga afër këto zhvillime, kjo marrëveshje sinjalizon një prirje të errët në politikën e jashtme amerikane. SHBA, përmes kësaj marrëveshjeje, ka zgjedhur të bashkëpunojë me një vend që politika e tij e jashtme është më afër Moskës sesa Washingtonit, dhe veprimet e tij në Ballkanin Perëndimor kanë minuar vazhdimisht paqen dhe stabilitetin rajonal.
Megjithatë, ceremonia e nënshkrimit nuk u trajtua si një ngjarje madhore. Departamenti i Shtetit i SHBA publikoi detajet vetëm disa ditë para dhe mediat amerikane kanë qenë dukshëm të heshtura, të paktën deri më tani lidhur me këtë pakt. Asnjë bujë, asnjë konferencë për shtyp, asnjë raport i detajuar. Madje, edhe vetë Gjuriç, figura kryesore që përfaqëson Serbinë, shkroi një postim të vakët në ‘X’, duke përdorur gjuhën burokratike për bashkëpunim dhe mundësi. Nuk kishte përmendje të qartë të implikimeve reale që kjo marrëveshje do të ketë për rajonin, veçanërisht për Kosovën, një vend që sovraniteti, pavarësia dhe vetë ekzistenca e tij kërcënohet vazhdimisht nga Serbia, dhe tani, duket, edhe nga vetë Perëndimi.
Diplomacia e heshtur e tradhtisë
Pse SHBA ka zgjedhur ta minimizojë këtë ngjarje? Përgjigjja qëndron në të vërtetën e pakëndshme se Washingtoni, edhe një herë, po i jep përparësi interesave të tij ekonomike mbi vlerat demokratike që pretendon të mbrojë. Serbia, një vend që vazhdimisht ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës, nuk është një partner i besueshëm për Perëndimin. Ajo vazhdon të strehojë qendrën më të madhe të spiunazhit rus në Evropë, të ashtuquajturën "Qendra Humanitare Ruse" në Nis, e cila shërben si bazë për aktivitetet e inteligjencës ruse pranë kufirit të NATO-s. Serbia blen armë nga Rusia, Kina dhe Irani, vende që SHBA i sheh si kërcënime për pozitën e saj globale.
E megjithatë, këtu jemi, duke parë zyrtarë amerikanë që shtrëngojnë duart me udhëheqësit serbë sikur asgjë nga këto nuk ka rëndësi.
Mos gaboni: Serbia mbetet e rreshtuar fort me interesat ruse. Vendi shërben si një zgjatim i ambicieve gjeopolitike të Moskës në Evropë, duke destabilizuar Ballkanin Perëndimor dhe duke krijuar një bazë për ndikimin rus. Në vitin 2023, Serbia nisi një operacion ushtarak në veri të Kosovës, duke imituar taktikat e Rusisë në Ukrainë duke tentuar të aneksojë pjesë të Kosovës nën maskën e "mbrojtjes" së serbëve etnikë. Ky nuk ishte një veprim i çastit; ishte një lëvizje e menduar me kujdes për të destabilizuar Kosovën dhe për të sfiduar pavarësinë e saj, të cilën Serbia kurrë nuk e ka njohur.
Cila ishte përgjigja e Washingtonit ndaj këtyre provokimeve? Marrëveshja energjetike e sotme sugjeron se SHBA është e gatshme të injorojë agresionin e Serbisë, aleancat e saj anti-perëndimore dhe tendencat e saj autoritare, e gjithë kjo për hir të bashkëpunimit ekonomik. Kjo nuk është thjesht një neglizhencë diplomatike; është një dështim moral.
VIDEO: Zëvendëskryeministri i Serbisë, Vulin i listuar në listë të Zezë të SHBA-së, i thotë Presidentit Putin: "Serbia kurrë nuk do të anëtarësohet në NATO apo të vendosë sanksione kundër Rusisë. Ne kurrë nuk kemi qenë dhe nuk do të jemi kundër Rusisë. Serbia nuk është vetëm një partner strategjik, por një aleat i Rusisë."
Aleancat e rrezikshme të Serbisë: Një autokraci pro-ruse
Le të jemi të qartë për atë me të cilin SHBA po bashkëpunon. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuqiç, nuk është një udhëheqës i përkushtuar që po e drejton vendin e tij përmes ujërave të stuhishme ndërkombëtare. Vuqiç, dikur kryepropagandisti i regjimit gjenocidal të Slobodan Millosheviçit, ishte përgjegjës për arsyetimin e spastrimeve etnike dhe mizorive që shkatërruan Ballkanin në vitet '90. Sot, ai drejton një regjim që shtyp kundërshtarët politik, manipulon zgjedhjet dhe mban në pushtet kriminelë lufte. Qeveria e tij është një autokraci e maskuar si demokraci, dhe zgjedhjet e fundit në Serbi kanë qenë më shumë një teatër i orkestruar për të legjitimuar vazhdimin e sundimit të tij.
Serbia mbetet një vend ku oligarkët rusë, bashkëpunëtorë të ngushtë të Vladimir Putinit gjejnë strehë të sigurt. Këta oligarkë përdorin Serbinë si një portë për të hyrë në tregjet evropiane, duke anashkaluar sanksionet dhe duke transferuar para mbrapa në Moskë për të financuar makinën e luftës së Putinit. Qeveria e Vuqiçit, është larg nga momenti i ndalimit të ndonjë aktiviteti të paligjshëm, përkundrazi ajo e lehtëson atë. Serbia është një rrugë e përshtatshme për interesat ruse në Evropë, dhe Perëndimi, duke u angazhuar në marrëveshje si ajo që u nënshkrua sot, është bashkëfajtor në lejimin e kësaj situate. Në mbjelljen dhe inkurajimin e despotizmit Moskovit dhe përmbytjen e vlerave demokratike.
Më shqetësuese është goditja e fundit e Serbisë ndaj disidentëve rusë. Ndërsa emigrantët rusë kërkonin azil në Serbi pas pushtimit të Ukrainës, qeveria e Vuqiçit filloi t’i arrestonte dhe t’i dëbonte ata mbrapa në Moskë, ku përballeshin me burgime, tortura dhe madje me vdekje. Serbia nuk është një mbrojtëse e të drejtave të njeriut; ajo është një bashkëpunëtore në rrjetin autoritar të Putinit.
Kosova: Dëmi kolateral i hipokrizisë amerikane
Por problemi im nuk është se SHBA po nënshkruan marrëveshje me një Serbi të lidhur me Kremlinin. Problemi është se këto marrëveshje vijnë në kurriz të Kosovës, një vend që ka duruar barrën e agresionit serb për dekada të tëra. Kosova, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008, mbetet nën kërcënimin e vazhdueshëm të Serbisë, e cila e sheh atë si një pjesë integrale të kushtetutës së saj. Qeveria e Vuqiçit kurrë nuk ka hequr dorë nga pretendimi i saj mbi Kosovën, dhe spektri i luftës është gjithmonë i pranishëm ndërsa Serbia kërcënon përsëri me veprime ushtarake nëse dështojnë rrugët diplomatike.
SHBA ka qenë prej kohësh aleati më i rëndësishëm i Kosovës, por marrëveshja energjetike e sotme dërgon një mesazh të ftohtë: interesat e Kosovës janë të shpenzueshme. Perëndimi me sa duket është i gatshëm të injorojë agresionin e Serbisë, lidhjet e saj me Rusinë, Kinën dhe Iranin dhe veprimet destabilizuese në Ballkan, të gjitha për hir të fitimeve ekonomike. Ndër kostot që pritet të paguajë Kosova nga politika e jashtme katastrofike e SHBA-ve duket të jetë krijimi i një "Republika Srpska" brenda Kosovës. Kjo është një perspektivë e frikshme, që do të pasqyronte lëshimet politike dhe territoriale që Serbia mori në Bosnjë dhe Hercegovinë, një lëvizje që ka bllokuar aftësinë e Bosnjës për të funksionuar si një shtet sovran.
Në qendër të këtij problemi është Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, veprimet e të cilit kanë ngritur shqetësime serioze për të ardhmen e sovranitetit të Kosovës. Hovenier ka minuar vazhdimisht demokracinë dhe transparencën në Kosovë, duke orkestruar sulme ndaj gazetarisë së pavarur dhe kundërshtimeve politike. Ai ka kërkuar që Kosova të tërheqë forcat e saj nga veriu i Kosovës, duke i dhënë në thelb Serbisë një dritë jeshile për të vazhduar agresionin e saj në stilin rus. Akoma më e papranueshme është përfshirja e Hovenier në ndalimin e lëvizjes së lirë të Kosovës, duke kërkuar që ura kryesore e Mitrovicës, një pikë strategjike kyçe në veri, të qëndrojë e mbyllur, me arsyetimin e shmangies së tensioneve etnike. Në realitet, këto kërkesa pasqyrojnë pozicionet e Beogradit, jo të Prishtinës.
Ajo që po ndodh këtu është një tradhti ndaj pavarësisë së fituar me mund dhe me gjak të Kosovës dhe një precedent i rrezikshëm për të ardhmen e Ballkanit. SHBA, dikur mbështetësi më i fortë i sovranitetit të Kosovës, tani po përdor peshën e saj diplomatike për të shtyrë Kosovën të bëjë lëshime ndaj Serbisë. Udhëheqja demokratike e zgjedhur e Kosovës—Kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani—me të drejtë i kanë refuzuar këto kërkesa, por presioni vazhdon të rritet. Taktikat e Washingtonit janë bërë gjithnjë e më agresive, me kërcënime të fshehta për të përmbysur qeverinë e Kosovës nëse refuzon të dorëzohet ndaj interesave të hegjemonisë serbe.
Gjermania dhe Franca: Tradhtarët e tjerë perëndimorë
SHBA nuk është e vetme në këtë tradhti. Gjermania dhe Franca, dy nga fuqitë më të mëdha të Evropës, gjithashtu kanë ndryshuar qëndrimin e tyre ndaj Kosovës në këmbim të marrëveshjeve të burimeve me Serbinë. Gjermania kohët e fundit nënshkroi një marrëveshje për bateritë e litiumit me Serbinë, një marrëveshje që ka zbutur dukshëm qëndrimin e fortë të Berlinit ndaj Kosovës. Franca, gjithmonë lojtar pragmatik i pushtetit, ka ndjekur një rrugë të ngjashme, duke i dhënë përparësi interesave ekonomike mbi vlerat demokratike.
Shtylla kurrizore e qeverive perëndimore tani duket më e butë se një “tiramisu italiane”, duke u shembur nën peshën e hipokrizisë së tyre. Si ka arritur Serbia t’i korruptojë këto fuqi perëndimore për të shkelur mbi parimet e tyre për një marrëveshje burimesh? Përgjigjja është e thjeshtë: Serbia ka luajtur me mjeshtëri të dyja anët, duke shfrytëzuar pozicionin e saj strategjik dhe burimet për të marrë lëshime nga Perëndimi ndërkohë që ruan aleancën me Rusinë. Dhe Perëndimi, i dëshpëruar për marrëveshje energjetike dhe ekonomike, ka rënë në kurth.
Krimi i sakrifikimit të Kosovës
Në fund të ditës, kjo nuk ka të bëjë vetëm me sektorin e energjisë së Serbisë apo lidhjet e saj me Rusinë. Kjo ka të bëjë me rënien morale të Perëndimit, gatishmëritë e tyre për të sakrifikuar vlerat demokratike dhe stabilitetin rajonal për fitime afatshkurtra ekonomike. Krimi i vërtetë këtu nuk është se SHBA po bën biznes me Serbinë; është se ajo po e bën këtë në kurriz të Kosovës, një vend që e ardhmja e tij tani është në rrezik për shkak të politikës së jashtme katastrofike të Washingtonit.
Marrëveshja e energjisë së sotme është vetëm kapitulli i fundit në një histori të gjatë të mashtrimeve të dyfishta perëndimore në Ballkan. Por rreziqet nuk kanë qenë kurrë më të larta. Sovraniteti i Kosovës, pavarësia e saj dhe vetë ekzistenca e saj janë në rrezik. Dhe SHBA, përmes partneritetit të saj të gabuar me Serbinë, jo vetëm që po tradhton Kosovën, ajo po tradhton vlerat e veta për të cilat pretendon të luftojë.