Një Gazetar, Një e Vërtetë dhe Frika e Kremlinit
Russia Today lëshoi një sulm të ulët propagandistik ndaj meje, duke më përqeshur publikisht. Frika e tyre? E vërteta që zbuloj dhe fuqia e një gazetari të pavarur.
Në një kohë kur vetë e vërteta është nën sulm, gazetaria nuk është thjesht e nevojshme, por një domosdoshmëri ekzistenciale. Sulmi i ashpër i Russia Today Serbia (RT Balkans) ndaj meje1, pas raportimit tim ekskluziv mbi dyshimet për strehimin e Maher Al-Assad në Serbi2, zbuloi më shumë për RTS sesa për faktet që unë paraqita. Artikulli i tyre3 përbën një përzierje akuzash të pabaza, shmangiesh dhe propagande të maskuar hollësisht, duke ndjekur me përpikëri manualin klasik kremlinesk të dezinformimit. Kjo nuk është asgjë e re dhe as befasuese. Por është diçka që duhet të përballet me standardet e vërteta dhe profesionalizmin e gazetarisë.
Kush është Russia Today Balkans?
Russia Today, ose RT, është krahu mediatik global i qeverisë ruse, i financuar dhe kontrolluar drejtpërdrejt nga Kremlini. Misioni i saj nuk është të informojë, por të manipulojë, të turbullojë ujërat, të ngatërrojë të vërtetën me gënjeshtrat, në mënyrë që lexuesit të dorëzohen duke pyetur nëse faktet ekzistojnë fare.
RT dhe drejtuesit e saj, si Margarita Simonyan, po përdorin platformat e financuara nga shteti Rus për të nxitur trazira dhe për të mbështetur interesat ruse në nivel global, duke përfshirë furnizimin me pajisje ushtarake për luftën në Ukrainë, nënvizon një raport i faktik i Departmamentit Amerikan të Shtetit4, duke shtuar se këto veprime nuk janë gazetari, por operacione të fshehta që synojnë minimin e demokracisë dhe stabilitetit ndërkombëtar.
Në Serbi, RT Balkans i jep zë kësaj strategjie, duke përfituar nga lidhjet gjithnjë e më të ngushta të Beogradit me Moskën. Që nga shtatori 2022, kur Serbia nënshkroi një marrëveshje koordinimi të politikës së jashtme me Rusinë5, administrata e Presidentit Aleksandar Vuçiç ka ecur në një vijë gjithnjë e më të hollë midis ambicieve të saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe marrëdhënieve të saj të thelluara me Rusinë6, Iranin7 dhe Kinën8. Për RTS-në, përafrimi i Serbisë me Moskën nuk është realitet – ai mohohet, ashtu siç lufta e Putinit në Ukrainë paraqitet si gjithçka tjetër përveç luftës.
Për RTS-në, gazetarë si unë janë armiq, jo sepse ne jemi të lidhur me ndonjë qeveri, por sepse raportojmë të vërteta që sfidojnë fiksionin e kuruar me kujdes të Kremlinit.
Sulmi: Pretendime të Pabaza dhe Shtrembërim i Fakteve
Le t’i trajtojmë pretendimet kryesore dhe shtrembërimet e RTS-së, pikë për pikë:
Dyshimet për Maher Al-Assad
RT Serbia përqeshi raportin tim mbi dyshimet lidhur me praninë e Maher Al-Assad në Serbi, duke e cilësuar atë si “fantazi” dhe duke më akuzuar për fabrikim të burimit tim turk. Realiteti është shumë më i thjeshtë: burimi im është një zyrtar brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë. Ky informacion9 është në përputhje me raportime të tjera nga media të njohura si Australian Broadcasting Corporation10, e cila sugjeroi lëvizjet e Maher Al-Assad përmes Libanit, si dhe Time Turk11 që konfirmoi dyshimet.
Strategjia e RT-së është të përdorë talljen pa ofruar asnjë provë për të kundërshtuar pretendimet e mia. Tallja është një shenjë dalluese e dezinformimit, një taktikë që synon të minojë besimin tek gazetari, jo të hedhë poshtë faktet.
Pretendimet për Lidhje me Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin
Përpjekja e RT Balkans, gjegjësisht redaksia e tyre në gjuhën serbe për të më lidhur me partinë në pushtet në Kosovë, Vetëvendosjen, është qesharake. Për një media që funksionon si makinë propagandistike, është e pamundur të kuptohet se një gazetar mund të veprojë me integritet, i lirë nga ndikimi qeveritar. Ndryshe nga RTS, unë nuk i shërbej politikanëve apo partive politike, unë i mbaj ata përgjegjës.
Akuzat janë të pabaza sepse RT nuk mund të kuptojë gazetarinë që heton paanshmërisht. Ata nuk mund të imagjinojnë një qeveri që nuk është e korruptuar apo e korruptueshme, sepse pavarësia e tillë nuk ekziston në botën ku ata jetojnë.
Shmangia me Aleksandar Arsenijeviç
Përpjekja e RT Serbia për të më diskredituar duke përmendur Aleksandar Arsenijeviç është veçanërisht treguese. Ata më akuzuan për përhapje dezinformimi në lidhje me të, por injoruan qëllimisht hulumtimin tim të detajuar12 mbi lidhjet e tij me operacionet klandestine serbe.
Raportimi im, i bazuar në prova dhe burime të shumta të verifikueshme, e zbuloi se Arsenijeviç nuk është viktimë e pafajshme siç RT e përshkruan, por një figurë aktive e përfshirë në aktivitetet destabilizuese13 të Beogradit në veri të Kosovës.
Dua t’ua kujtoj atyre se:
Prova fotografike e vendos Arsenijeviçin pranë individëve si Marjan Radojeviç dhe Blagoje Spasojeviç, figura kyçe në sulmet e Banjës të shtatorit 2023 — një sulm paramilitar i mbështetur nga Serbia që synonte aneksimin e veriut të Kosovës.
Danijel (Dejan) Djukiç, i lidhur me trafik droge dhe i shpallur terrorist nga autoritetet kosovare, është gjithashtu i lidhur me Arsenijeviçin përmes burimeve lokale dhe llogarive të rrjeteve sociale.
Mohimi i RT-së për këto zbulime nuk i zhbën ato. Heshtja e tyre për lidhjet e Arsenijeviçit flet shumë.
Hezitimi i RT-së për të Pranuar Përafrimin Serbo-Rus
Mungesa e gatishmërisë RT-së për të pranuar faktin se Serbia nënshkroi një marrëveshja të bashkërendimit të politikës së saj të jashtme me Rusinë në shtator të 2022 është e qëllimshme. Marrëveshja formalizoi lidhjet diplomatike të Serbisë me Moskën14, megjithatë RT bën sikur ky realitet nuk ekziston. Po kështu, ata refuzojnë të përballen me sulmet e mbështetura nga Kremlini në Banjë, duke nxjerrë në pah paralele të frikshme me aneksimin e Krimesë nga Rusia.
Për RT, Serbia është gjithmonë neutrale, një viktimë e agresionit perëndimor. Kjo narrativë nuk është vetëm trillim; është propagandë e krijuar për të forcuar ndikimin e Rusisë në Ballkan dhe për të minuar sovranitetin e Kosovës.
Gazetaria kundër Propagandës: Pse Kjo Është e Rëndësishme?
Në thelb, ky konflikt ka të bëjë me të vërtetën. Gazetaria, kur praktikohet me integritet, synon të informojë publikun, të zbulojë fakte të fshehura dhe të mbajë pushtetin përgjegjës. Propaganda, nga ana tjetër, i shërben pushtetit. Asaj nuk i intereson e vërteta apo provat; ekziston për të krijuar konfuzion, përçarje dhe manipulim.
Reagimi i Russia Today15 ndaj raportimit tim ekskluziv nuk është një ushtrim gazetarie. Është një përpjekje për shmangie të Serbisë nga përgjegjësia dhe përpjekje për diskreditim personal, mekanizëm ky i krijuar për të fshehur lidhjet gjithnjë e më të ngushta të Serbisë me Rusinë dhe përfshirjen e saj në destabilizimin e Kosovës dhe Ballkanit.
Akuzat e RT-së pasqyrojnë mënyrën e tyre të operimit. Për ta, integriteti gazetaresk është i pakuptueshëm sepse ata vetë funksionojnë pa të. Për RT-në, çdo gazetar duhet të jetë propagandist, çdo raport një armë politike. Ata projektojnë vlerat e tyre, ose mungesën e tyre, tek të tjerët. Ju kujtohet Berat Buzhala?16
Roli i Serbisë në Strategjinë Gjeopolitike të Rusisë
Lidhja e Serbisë me Rusinë nuk është e rastësishme. Balancimi i Beogradit mes BE-së dhe Moskës është strategjik, por varësia e saj nga Rusia për energji, armë dhe mbështetje politike është e padiskutueshme. Kjo u bë më e qartë kur autoritetet e Kosovës penguan përpjekjet e Serbisë për aneksim në stilin rus në shtator të vitit 2023.
Putini e sheh Serbinë si një pikë kyçe në strategjinë e tij për të destabilizuar Ballkanin. Narrativa e Rusisë, e përsëritur nga RT, e paraqet Serbinë si një vend nën rrethim, Kosovën si të paligjshme dhe NATO-n si agresore. Kjo histori i shërben interesave të Rusisë – jo Serbisë, dhe sigurisht jo të vërtetës.
Lidhja e Serbisë me Moskën nuk është vetëm një strategji gjeopolitike; ajo është një përqafim i vlerave dhe metodave të regjimeve autokratike. Qeveria e Aleksandar Vuqiç ndjek shembullin e Kremlinit, ku media e kontrolluar nga shteti, shtypja e kundërshtarëve dhe përqendrimi i pushtetit janë bërë normale. Lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë mbështeten në tregime të përbashkëta historike, afërsi kulturore dhe kundërshtim ndaj vlerave demokratike të Perëndimit.
Kjo lidhje shkon përtej fjalëve dhe shfaqet në bashkëpunim praktik, qoftë përmes marrëveshjeve të armëve, fushatave të dezinformimit apo rolit të Serbisë si urë për interesat ekonomike ruse nën sanksione. Duke ndërtuar marrëdhënie me Rusinë, Kinën dhe Iranin, Vuqiç e ka pozicionuar Serbinë si një lojtar kyç në përpjekjen e bllokut lindor për të minuar ndikimin perëndimor dhe institucionet demokratike.
Ndërsa Moska zhvillon një luftë fizike në Ukrainë, Beogradi zhvillon një luftë politike dhe ideologjike në Ballkan, duke destabilizuar rajonin dhe duke forcuar grupet armiqësore ndaj demokracisë17. Ky nuk është thjesht pragmatizëm oportunist; ky është një pasqyrim i lidhjeve aktive të Serbisë me një koalicion më të gjerë autokratësh që synojnë të ndryshojnë rendin global sipas imazhit të tyre.
Besueshmëria
Për lexuesit dhe kritikët, e shkruaj këtë: çdo raport që prodhoj bazohet në prova të besueshme. Qoftë në hulumtimet e mia për strehimin e Maher Al-Assad në Serbi, qoftë në raportimin tim mbi Aleksandar Arsenijeviç apo diplomatin amerikan Gabriel Escobar18, gjetjet e mia burojnë nga hulumtime të hollësishme, burime të verifikuara dhe një përkushtim i palëkundur për të nxjerrë në dritë të vërteta që shumë të tjerë do të donin t’i fshehin.
Akuzat e RT-së nuk pasqyrojnë punën time; ato pasqyrojnë frikën e tyre. Frikën nga gazetarët që punojnë të pavarur. Frikën nga hetimet që zbulojnë të vërteta të pakëndshme. Frikën nga një botë ku propaganda nuk mund të fshihet më pas gënjeshtrave.
Pyetja nuk është pse Russia Today më sulmoi.
Pyetja është pse e ndjenë të nevojshme ta bënin?
Çfarë të vërtetash janë kaq të dëshpëruar t’i fshehin?
Çfarë tregimesh kanë frikë se do të zbuloj më pas?
Përgjigja qëndron në provat, në faktet që ata refuzojnë t’i pranojnë dhe në aleancat që përpiqen të mbrojnë. Nga ana ime, unë do të vazhdoj të raportoj faktet, të zbuloj të vërtetat dhe t’i mbaj përgjegjës këto aleanca. Sepse kjo është gazetaria. Dhe kjo është ajo që propaganda kurrë nuk mund ta heshtë.
I dashur lexues, nëse vlerësoni përpjekjet e mia për të mbrojtur të drejtën tuaj për informim dhe të ardhmen e vendit tonë, ju ftoj të kontribuoni.
Mund të bëni një donacion ose të abonoheni me pagesë. Çdo kontribut juaj është një gur themeli për të vazhduar të raportoj ndershmërisht dhe të hedh dritë mbi çështjet që kanë rëndësi për të gjithë ne.
Gazetaria e pavarur ka nevojë për mbështetjen tuaj për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin tonë si komb.
Faleminderit që besoni dhe përkrahni këtë kauzë!
Луда оптужба албанског новинара из Лондона: Асадов брат се крије у Србији? — Russia Today, Serbia
Луда оптужба албанског новинара из Лондона: Асадов брат се крије у Србији? — RT Serbia [Nëse nuk keni qasje në faqen e tyre, këtu e keni PDF-in e këtij materiali]
Alerting the World to RT’s Global Covert Activities — US State Department Fact Sheet.
Serbia receives another arms delivery from Russia despite international sanctions over Ukraine — AP
Aleksandar Arsenijevic: A Controversial Catalyst in Kosovo’s Political Turmoil — FRONTLINER
EU candidate Serbia and Russia sign foreign policy agreement — The Independent