Shefi i Mbrojtjes së Bosnjës paralajmëron për rreziqet e shkëputjes
Ministri i Mbrojtjes së Bosnjës, Zukan Helez, flet për kërcënimet e Dodikut për shkëputje territoriale, mohimin e Gjenocidit në Srebrenicë dhe të ardhmen e brishtë të Bosnjës.
Dekada pas Marrëveshjes së Dejtonit në vitin 1995, e cila i dha fund një lufte të përgjakshme dhe brutale, Bosnja dhe Hercegovina mbetet në një gjendje paqeje të brishtë, i ngarkuar nga fantazmat e ndarjeve etnike dhe kërcënimeve për një kthim në dhunë, këtu duket se e kaluara sikur nuk është varrosur. Sot, kërcënet për shkëputje, mohimet i gjenocidit dhe nacionalizmi serb rrezikojnë të shqyejnë sërish Bosnjën.
Në këtë situatë të ndërlikuar, u takova me Zukan Helez, Ministrin e Mbrojtjes së Bosnjës. Detyra e tij nuk është e lehtë: të mbrojë sovranitetin e Bosnjës, ndërsa mban nën vëzhgim tensionet në rritje brenda Republikës Serbe, ku lideri nacionalist serb i këtij entiteti, Milorad Dodik, vazhdon përpjekjet për pavarësi dhe haptazi mohon gjenocidin e Srebrenicës. Retorika e Dodikut, që përkujton në mënyrë të frikshme vitet ‘90, po vë në provë integritetin territorial të Bosnjës – dhe Helez e di këtë.
“Është një narrativë e njohur,” më tha Helez, me një zë të qëndrueshëm, por të mbushur me shqetësim. “Dodik po përdor të njëjtën gjuhë ndarëse e cila ndezi luftën. Ai po përpiqet t’i bindë serbët se Bosnja nuk është një vend i sigurt për ta, dhe e kemi dëgjuar këtë më parë – menjëherë para se lufta të shpërthente.”
Kjo nuk është thjesht retorikë për të tronditur shpatat. Rritja e ndjenjës nacionaliste në Republikën Serbe ka rindezur bisedat për shkëputje, me Dodikun që bën kërcënime të mbuluara hollë për shkëputje nga Bosnja. Fjalët e tij gjejnë mbështetje jo vetëm në Beograd, ku presidenti serb Aleksandar Vuqiç shpesh është në linjë me Dodikun, por edhe në Moskë, ku Vladimir Putin ka përdorur si model përçarjet etnike dhe konfliktet territoriale.
Por Ministri Helez nuk është duke qëndruar duarkryq. Ai po përgatitet për më të keqen, ndërsa shpreson për më të mirën.
Bomba me sahat e Bosnjës
Për vite, Bosnja ka qenë një vend në luftë me vetveten, e mbajtur më shumë nga mbikëqyrja ndërkombëtare e brishtë sesa nga ndonjë vizion i përbashkët i unitetit. Marrëveshja e Dejtonit në 1995 mund të ketë ndalur luftimet, por ajo gjithashtu krijoi një sistem thellësisht të ndarë. Bosnja është e ndarë në dy entitete – një për boshnjakët dhe kroatët, dhe tjetra për serbët – dhe Republika Serbe, ku i stolisuri i Kremlinit dhe i përkëdheluri i beogradit Milorad Dodik e ka pushtetin, është bërë një vatër për ambiciet e shkëputjes. Dodik po bën gjithçka për ta shqyer Bosnjën në copa.
“Agjenda e Milorad Dodikut është e rrezikshme,” thotë Helez me thjeshtësi. “Ai nuk po sfidon vetëm integritetin e Bosnjës dhe Hercegovinës; ai po nxit ndarjen, frikën dhe urrejtjen – ashtu si liderët që na çuan në luftë në vitet ‘90.”
Nuk është e vështirë të kuptosh pse Helez është i shqetësuar. Veprimet e Dodikut shkojnë përtej manovrave politike. Qeveria e tij në Republikën Serbe ka minuar në mënyrë metodike institucionet kombëtare të Bosnjës, duke vënë në pikëpyetje gjithçka, nga legjitimiteti i Bosnjës si shtet deri te ligjet e saj kundër mohimit të gjenocidit – një çështje që mbetet plagë e hapur për vendin. Për të mbijetuarit e luftës dhe gjenocidit, mohimi i Srebrenicës nga Dodiku – një masakër e njohur nga gjykatat ndërkombëtare si gjenocid – është asgjë më pak se luftë psikologjike.
Në këndvështrimin e Ministrit, veprimet e Dodikut janë thellësisht të lidhura me problemet e tij personale ligjore. “Ai po përdor popullin për ta mbrojtur veten nga përgjegjësia,” argumenton Helez. “Ai përballet me akuza penale dhe, si shumë populistë, po përpiqet të largojë vëmendjen nga gabimet e tij personale duke nxitur tensione etnike dhe duke fajësuar armiq të jashtëm.”
Helez e kupton qartë se çfarë përfaqëson loja e Dodikut: një bombë me sahat që, nëse nuk frenohet, mund të shpërthejë sërish në dhunë. Ministri nuk e fsheh faktin se Dodik ka mbështetje nga jashtë, gjë që sipas tij e bën situatën edhe më të ndërlikuar.
“Ai po ndjek skemën e Putinit – duke nxitur nacionalizmin për të larguar vëmendjen nga dështimet e brendshme, duke përdorur Rusinë si një mburojë,” thotë Helez. “Dhe ka mbështetje nga Vuçiç në Serbi, i cili ndan vizionin e tij për një ‘botë serbe’.”
Ushtria e Bosnjës: Gati për një luftë?
Me retorikën e Dodikut në rritje, pyetja e qartë është: A mund ta mbrojë Bosnja veten në rast të një tentative serioze për shkëputje? Kjo pyetje ka qenë në mendjet e shumë njerëzve në rajon, veçanërisht me luftën e vazhdueshme në Ukrainë, që ngre frikën se konfliktet në Evropën Lindore mund të ndezin sërish tensione në Ballkan.
Helez është i bindur se ushtria e Bosnjës është gati për të mbrojtur vendin – por ka një proces në vend.
“Nëse ka ndonjë agresion, forcat EUFOR dhe NATO janë linja e parë e mbrojtjes,” shpjegon Helez. “Marrëveshja e Dejtonit, specifikisht Aneksi 1A dhe 2, përcakton një kornizë të qartë për ndërhyrje. EUFOR dhe NATO janë të detyruar të mbrojnë kufijtë dhe sovranitetin e Bosnjës.”
Por Bosnja nuk është plotësisht e varur nga forcat e huaja. “Forcat tona të armatosura janë të afta,” thekson Helez. “Ne kemi ecur shumë që nga lufta. Sot kemi forca të armatosura multietnike dhe punojmë ngushtë me vende fqinje si Kroacia, Serbia, Kosova dhe Mali i Zi. Ne stërvitemi së bashku, shkëmbejmë kadetë dhe vazhdimisht përmirësojmë aftësitë tona.”
Ministri thekson se ushtria e Bosnjës nuk është vetëm një forcë luftuese, por edhe një simbol i asaj që vendi mund – dhe duhet – të jetë. “Ushtria jonë multietnike është një model se si Bosnja mund të funksionojë,” thotë ai. “Ajo tregon se njerëz nga grupe të ndryshme etnike mund të punojnë së bashku për një qëllim të përbashkët. Kjo është e ardhmja e Bosnjës, dhe këtë po e mbrojmë.”
Megjithatë, Helez nuk e shmang gravitetin e situatës. “Ne jemi gati për çfarëdo që vjen, por paqja këtu është e brishtë,” thotë ai. “Ne e dimë këtë. E përjetojmë çdo ditë.”
Paralelja me Kosovën Një paralajmërim
E pyeta Ministrin Helez për paralelet mes Bosnjës dhe Kosovës, ku në shtator 2023, një sulm në Banjë ngriti alarmin në të gjithë rajonin. Sulmi, i organizuar nga lideri i paramilitarëve serbë Milan Radoiçiq, u pa nga shumë si pasojë e tolerancës në rritje të Perëndimit ndaj narrativave agresive të Serbisë. A mund të jetë Bosnja në rend?
Helez është i kujdesshëm, por i bindur se situata e Bosnjës është unike. “Bosnja dhe Kosova nuk mund të krahasohen drejtpërdrejt,” thotë ai. “Kosova ka avancuar më shumë në procesin e saj të integrimit në NATO dhe, ndonëse e mbështes pavarësinë e plotë të Kosovës, rrethanat e Bosnjës janë të ndryshme. Por kjo nuk do të thotë që nuk jemi të vëmendshëm.”
Ministri është i shpejtë për të theksuar se partneritetet ndërkombëtare të Bosnjës mbeten të forta. “Ne kemi punuar ngushtë me aleatët tanë për të siguruar që integriteti territorial i Bosnjës të respektohet. Nuk mund të përballojmë që ndonjë lojtar i jashtëm të nxisë trazira këtu,” thotë ai. “Dhe jemi të përgatitur për çdo kërcënim që mund të lindë.”
Mohimi i gjenocidit: Një plagë që nuk shërohet
Në zemër të ndarjeve të Bosnjës është trashëgimia e Srebrenicës, ku mbi 8,000 burra dhe djem boshnjakë u masakruan nga forcat serbe të Bosnjës në korrik 1995. Masakra, e shpallur gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare, mbetet një pikë e hidhur në vend. Mohimi i vazhdueshëm i gjenocidit nga Dodiku dhe lavdërimi i kriminelëve të luftës si Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç vetëm sa e kanë thelluar përçarjen.
Helez është i drejtpërdrejtë për ndikimin e këtij mohimi. “Nuk është thjesht një deklaratë politike – është një sulm ndaj dinjitetit të viktimave dhe një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj çdo shprese për pajtim në këtë vend,” thotë ai. “E vërteta për Srebrenicën është minuar në mënyrë sistematike për 27 vjet. Për sa kohë që mohohet gjenocidi, do të kemi vështirësi të ecim përpara.”
Për Helezin, roli i komunitetit ndërkombëtar në luftën kundër këtij mohimi është vendimtar. “Na duhet që bota të qëndrojë fort në të vërtetën,” thotë ai. “BE dhe SHBA kanë qenë të zëshëm në mbështetjen e tyre, por na duhen më shumë se fjalë. Na duhen pasoja reale për ata që vazhdojnë të mohojnë atë që ndodhi këtu.”
Rruga përpara: Shpresë mes pasigurive
Ndërsa biseda jonë po i afrohet fundit, Helez reflekton mbi të ardhmen e Bosnjës. Është e qartë që rruga përpara është e pasigurt dhe vendi mbetet thellësisht i ndarë përgjatë vijave etnike. Plagët e së kaluarës janë ende të freskëta dhe ngritja e nacionalizmit, e shoqëruar me ndërhyrje të jashtme, paraqet një kërcënim serioz për paqen e brishtë të Bosnjës.
Por mes pasigurive, Helez mban ende shpresë. “Bosnja është një vend ku e kaluara nuk është kurrë larg, por kjo nuk do të thotë që nuk mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë,” thotë ai. “Ushtria jonë, populli ynë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë janë të përkushtuar për të mbajtur këtë vend të bashkuar. Kemi kaluar shumë për ta lënë të rrëzohet sërish.”
Në një rajon ku historia ka peshë të madhe, Zukan Helez e di që lufta për të ardhmen e Bosnjës është ende larg përfundimit. Me kërcënimet e shkëputjes që po bëhen gjithnjë e më të zëshme dhe mohimi i gjenocidit që përhapet si helm, Bosnja qëndron në një udhëkryq – një që do të përcaktojë nëse ajo mbetet një vend i bashkuar apo thyhet nën presionin e nacionalizmit serb për ndarje.
Për momentin, Helez dhe populli i Bosnjës dhe Hercegovinës po e mbajnë linjën. Por sa gjatë mund të mbajnë të kaluarën të mos përsëritet?